Gëzimi i udhëtimit për festa, po zbehet me flurimet që po anulohen masivisht në mbarë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit. Edhe pse u mendua se ky fundvit do të ishte ndryshe nga ai i mëparshmi, shfaqja e variantit Omicron riktheu hijen e kufizimeve, duke krijuar një atmosferë të mjerueshme për mijëra vetë, raporton Tch. Vetëm gjatë ditës së sotme, u anuluan 1 mijë e 400 fluturime. Destinacionet e goditura më rëndë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina sipas të dhënave të faqes FlightAware. Kompanitë ajrore amerikane thonë se anulimet janë rezultat i testimit të anëtarëve të stafit që kanë rezultuar pozitiv, ose që për shkak të dyshimeve, është dashur të izolohen. Hong Kongu ka ndalur të gjitha fluturimet me Korenë Jugore për dy javë, pas identifikimit të rasteve pozitive në mesin e udhëtarëve nga ky shtet. Në total, më shumë se 8 mijë fluturime janë anuluar prej të premtes, kur edhe nisën të festohen Krishtlindjet. Ndonëse numri i fluturimeve të anuluara është i vogël në krahasim me totalin e atyre që janë realizuar, kjo shifër është më e lartë sesa zakonisht dhe vjen në kohën kur shumë njerëz udhëtojnë për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë.