Kryetari i Forcës së Re Demokratike z. Genci Nimanbegu priti sot në vizitë ambasadoren britanike Karen Medoks, e cila e përgëzoj z. Nimanbegun dhe i dëshiroj suksese në punë si kryetar i ri i partisë Forca e Re Demokratike. Në takim u diskutua për situatën aktuale politike në Mal të Zi, si i sheh shumica parlamentare partitë të cilët përfaqësojnë popullin shqiptar, memorandumin i bashkëpunimit ku FORCA është njëra nga nënshkruesët, si dhe mesazhet e dërguara nga të gjithë aktorët politikë dhe ndikimi i saj karshi popujve pakicë. Po ashtu, u diskutua rreth statusit aktual të shqiptarëve, kërkesat e tyre të kahmotshme politike me qëllim që statusi i tyre të zgjidhet dhe të pranohet, me çka do duhej të parashihej me ligjin zgjedhor sigurimi i mandateve të garantuara për përfaqësuesit politikë shqiptarë që popullit shqiptar i takon si popull autokton në Mal të Zi.
Vëmendje e veçantë iu kushtua situatës dhe problemeve aktuale në RTV Ulqin, zhvillimit proporcional ku shumicën e përbën populli shqiptar, për mundësinë e projekteve zhvillimore në të ardhmen, si: porti detar në Ulqin, nevoja për një universitet ndërkombëtar, Kriporja, pikat kufitare me Shqipërinë, autostrada Adriatiko-Joniane që do të kalonte nëpër komunën e Ulqinit dhe nevojën për fuqizimin e kuadrove të reja. Kryetari i Forcës së Re Demokratike, z. Genci Nimanbegu falënderoi ambasadoren Medoks për mirëkuptimin e saj për sfidat me të cilat përballen shqiptarët dhe shteti i Malit të Zi, në ruajtjen e paqes dhe demokracisë, dhe shtoi se duhet të vazhdohet bashkëpunimi i mirë dhe intensiv në ruajtjen, forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar, Malit të Zi dhe partive të pakicave nacionale shqiptare në Mal të Zi.