BALLKANI I HAPUR ËSHTË NJË KONTRIBUT PËR RAJONIN

Në Shqipëri u mbajt takimi i radhës për nismën “Ballkani i Hapur”, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkohë liderët pjesëmarrës mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat. Në konferencën e mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Rama, Zaev dhe Vuçiq folën mbi rolin e nismës “Ballkani i Hapur” në bashkëpunimin rajonal si dhe mbi marrëveshjet e nënshkruara sot. Kryeministri Rama theksoi se marrëveshjet e nënshkruara janë finalizimi i një pune të përbashkët intensive.“Këto marrëveshje të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër, dhe jo nesër në të ardhmen por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022. Të gjitha këto janë marrëveshje të cilat janë as më shumë e as më pak por marrëveshjet e tregut të përbashkët mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, bazuar te të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të përbashkët rajonal, i cili përdoret si alibi kundër ‘Ballkanit të Hapur’, por që mund të arrihet dhe jetësohet vetëm nëpërmjet ‘Ballkanit të Hapur'” tha Rama. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se “Ballkani i Hapur” është një nismë gjithëpërfshirëse që shtyn përpara çfarë është diskutuar në “Procesin e Berlinit”. Sipas tij, kjo nismë është një njësi zbatimi e “Procesit të Berlinit” dhe njësi realizimi e “Tregut të Përbashkët Rajonal”, duke shtuar se “Kjo është arsyeja pse ne i jemi bashkuar kësaj nisme.”Presidenti Vuçiq theksoi se “Ballkani i Hapur” është vizioni i një Ballkani ndryshe dhe ai shtoi se beson se do të krijojnë një hapësirë më të mirë për të gjithë njerëzit dhe standarde më të mira të jetesës. Presidenti serb tha se është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me punën intensive në mënyrë që sipas tij “mos ketë më kufi për kompanitë tona, që ne të kemi mundësinë të tërheqim edhe më shumë investues të huaj”.Kryeministri Zaev njoftoi se sot është dita e fundit e tij në detyrë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, si dhe theksoi se nisma “Ballkani i Hapur” është krijuar për përftim të të gjithë rajonit dhe sipas tij është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut theksoi ndër të tjera “Ballkani i Hapur” është një kontribut i jashtëzakonshëm i vlerave dhe idealeve të mëdha të BE-së dhe sipas tij është një kontribut për rajonin. Ai shtoi se kjo nismë është një hallkë e fortë që ka marrë një mbështetje të qartë e të fortë nga bizneset dhe dhomat e tregtisë. Pas takimeve, mes tre vendeve u nënshkrua marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, Shqipëria dhe Serbia, si dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshje dypalëshe për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar, në lidhje me sigurimin dhe sigurinë (AEOS).

SHARE