Sot, në QKI „Malësia“ në Tuz, me një ceremoni solemne komuna e Tuzit shënoi 77 vjetorin e çlirimit të Tuzit nga forcat fashiste – duke kujtuar sakrificën dhe mundin e atyre që luftuan për çlirimin e qytetit të Tuzit. Në këtë solemnitet, ku morën pjesë personalitete të ndryshme nga politika, biznesi, institucionet shtetërore dhe përfaqësues të institucioneve fetare, u bë edhe ndarja e çmimit ,,15. Dhjetori – Dita e çlirimit të Tuzit”. Për këtë vit Juria për ndarjen e çmimeve përzgjodhi si fitues, Sead Gjokaj – për angazhimin në hartimin e monografisë nga artisti Gjelosh Gjokaj si redaktor dhe organizator, si dhe promovimin e karakterit dhe veprës së tij në të gjithë Malin e Zi dhe rajonin. Po ashtu, për nder të kësaj date, nënkryetari i komunës së Tuzit, Haris Ramoviq, vendosi lule në bustin e heroit – Mahmut Lekiq dhe në monumentin e ,,Ushtarëve të rënë” në Cem – Rakiq.