HAPET KONSULLATA E MALIT TË ZI NË SHKODËR

Dje u hap Konsullata e Malit të Zi në Shkodër, në krye me konzullin e Nderit e Malit të Zi Sokol Hoxha, në kuadër të vizitës dyditore të Ministrit të Punëve të Jashtme Gjorgje Radulloviq në Republikën e Shqipërisë. Radulloviq vuri në dukje se hapja e Konsullatës së Malit të Zi në Shkodër është një ngjarje e rëndësishme për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, veçanërisht në kuadrin e forcimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe njerëzore. Sipas deklaratës së Ministrisë, Radulloviq ka theksuar se hapja e konsullatës është pasqyrë e marrëdhënieve miqësore dhe e gatishmërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi theksoi se është e lumtur për faktin se rrjeti i konsullatës në Shkodër po zgjerohet, veçanërisht për faktin që këtë herë është konsullata e Malit të Zi fqinj dhe mik. Ajo shprehu gatishmërinë e bashkisë për të ndihmuar në përpjekjet e Konsullatës për përmirësimin e marrëdhënieve të Shkodrës me Malin e Zi, me fokus të veçantë në marrëdhëniet ekonomike. Gjatë takimit me përfaqësuesit e diasporës malazeze në Shqipëri, ministri Radulloviq shprehu mirënjohjen për të gjitha aktivitetet e ndërmarra në drejtim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor malazez në Republikën e Shqipërisë. Ky takim ishte gjithashtu një mundësi për të informuar për ngjarjet dhe projektet aktuale që janë duke u realizuar, si dhe mënyrat e mbështetjes nga Qeveria e Malit të Zi.

SHARE