OMICRON PRITET TË BËHET VARIANT DOMINUES NË EVROPË

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën paralajmëroi se varianti Omicron i koronavirusit mund të bëhet dominues në Evropë muajin e ardhshëm, por shtoi se blloku evropian ka vaksina të mjaftueshme për ta luftuar pandeminë. “Nëse shikoni kohën që duhet që rastet e reja të dyfishohen në numër, duket se po dyfishohet çdo dy ose tri ditë. Dhe kjo është masive. Na është thënë që nga mesi i janarit duhet të presim që Omicron do të jetë varianti i ri dominues në Evropë”, tha von der Leyen në Parlamentin Evropian teksa tregoi të dhënat shkencore. “Por, gjatë vitit të kaluar, ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur një marrëveshje të madhe dhe kjo është arsyeja pse Evropa është në një pozicion më të mirë tani për të luftuar virusin”, tha ajo. Von der Leyen tha se në BE, 66.6 për qind e popullsisë tashmë janë të vaksinuar me të dy dozat. Evropa po përjeton një valë të re të pandemisë dhe disa shtete kanë rivendosur masa për frenimin e koronavirusit. Italia këtë javë mori vendim që të kërkojë teste negative nga të gjithë personat që vizitojnë Italinë. Një masë të ngjashme e ka prezantuar edhe Portugalia e cila do të kërkojë teste negative dhe certifikata të vaksinave, të gjithë personave që hyjnë në shtet, pavarësisht nga kombësia.

SHARE