Të dielën u mbajten zgjedhjet lokale në Cetinë, Mojkovc dhe Petnjicë. Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje në Mojkovc, PDS e ka humbur shumicën, dhe opozita ka numrat të formojnë pushtetin e ardhshëm. Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) humbi pushtetin në Mojkovc pas 16 vjetësh. Duke e shikuar rezultatin e përgjithshëm në të tri komunat dhe duke e krahasuar atë më rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 rezulton se PDS ka pësuar rënie afër 25%. Sipas të njëjtit kriter mund të lexohet se rënie kanë pësuar edhe partitë proserbe të grumbulluara rreth FD në shifra edhe më të mëdha, rreth 52%. E vetmja parti që ka shënuar rritje befasuese është SDP, parti me orientim promalazez, me afër 33%. Sipas rezultateve paraprake, PDS fitoi 14 vende me partnerët e saj të koalicionit, Social Demokratët (SD) dhe Partinë Liberale (LP) – katër më pak se sa fitoi në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Sipas këtyre rezultateve, koalicioni PDS-SD-LP, ka marrë 43.89% të votave, koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi 24.17%, Demokratët 13.45%, LQ URA 6.11%, lista “Nuk e japim Mojkovcin 6.38%”, dhe Mali i Zi i Bashkuar 6.00%. Edhe në Cetinë PDS ka pësuar rënie krahasuar me zgjedhjet e kaluara, dhe do t’i duhet të bëjë koalicione për të mbajtur pushtetin, por pushteti mund të formohet edhe pa ta. Në Petnjicë PDS pritet ta ruaj shumicën absolute, pasi sipas rezultateve paraprake ka marrë 17 mandate. Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) në Cetinjë, Mojkovc dhe Petnjicë humbi gjithsej rreth 2,500 vota, krahasuar me zgjedhjet e gushtit 2020.