NJË VARIANT I RI I KORONAVIRUSIT SHIHET ME SHQETËSIM

Një variant tejet ngjitës i koronavirusit është përhapur në Afrikën e Jugut. Ky variant konsiderohet se ka pësuar më së shumti mutacione, në krahasim me të gjitha variantet tjera. Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar udhëtimet për dhe nga gjashtë shtete afrikane. Këto janë ditët e para të identifikimit të këtij varianti, mirëpo ka mundësi që ai të përhapet edhe më shumë. Administrata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) realizoi një takim për të shqyrtuar situatën e rrezikut të variantit të COVID-19 të emërtuar si B.1.1.529 i cili është shfaqur në Republikën e Afrikës së Jugut. Në konferencën për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier tha se organizata po “ndjek nga afër” zhvillimet lidhur me variantin e ri të COVID-19. “Do të nevojiten disa javë për të përcaktuar efektet e variantit të ri dhe nëse është apo jo shqetësues”, tha Lindmeier, duke bërë të ditur se varianti i ri ka pësuar shumë mutacione dhe se duhet të kryhen më shumë kërkime për të ndjekur mutacionet. Përcaktimin e variantit të ri, Lindmeier e ka lidhur me funksionimin e mirë të sistemit të ndjekjes së pandemisë në botë. “Për të parandaluar shfaqjen e varianteve të tilla është e nevojshme që të vaksinohen më shumë persona dhe që të merret çdo masë për të mbrojtur sigurinë tonë shëndetësore”, shtoi Lindmeier. Ai rikujtoi se masat e tilla si vendosja e maskës, distancimi nga mjedise të populluara, higjiena dhe ajrosja ashtu si më parë edhe sot do të jenë efektive kundër virusit.

SHARE