GJELOSHAJ: PAKICAT JANË TË GATSHME TË MBËSHTESIN ABAZOVIQIN PËR KRYEMINISTËR

Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se LQ URA do t’i propozojë që kreu i kësaj partie, Dritan Abazoviq, të jetë kryeministri i ri Malit të Zi. Gjeloshaj tha për agjencinë MINA se një gjë të tillë do ta bëjë në takimin e radhës me përfaqësuesit e LQ URA, por nuk mund të specifikojë se kur do të mbahet. Ai tha se pakicat janë të gatshme të mbështesin Abazoviqin si kryeministër të qeverisë së re dhe se këtë e ka propozuar në takimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Sipas Gjeloshajt, qeveria nuk do të përfshijë përfaqësues të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), por do të mbështesë formimin e saj. “Do të ishte zgjidhja më e mirë për të zgjidhur krizën politike. Qeveria mund të zgjasë një vit dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje parlamentare”, tha Gjeloshaj. Ai ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që në atë qeveri të jenë edhe përfaqësues të Partisë Socialdemokrate dhe Socialdemokratëve. I pyetur nëse mund të jetë në qeverinë e re, Gjeloshaj tha se nuk e sheh veten në këtë sepse i është dhënë mandati për të udhëhequr Komunën e Tuzit deri në vitin 2023. Gjeloshaj beson se formimi i një qeverie të tillë do të siguronte stabilitet afatgjatë. “Qeveria do të sillte zgjidhje ligjore dhe gjithçka që na kërkon Bashkimi Evropian për të mbyllur kapitujt 23 dhe 24”, përfundoi Gjeloshaj.

SHARE