NËSE NUK FUNKSIONOJMË, DUHET TË GJEJMË NJË MODEL TJETËR

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u ka bërë apel deputetëve që sa më shpejt të zgjedhin përbërjen e plotë të Këshillit Prokurorial. Abazoviq tha se ata që pengojnë vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane nuk mund të jenë partner të LQ URA. Duke komentuar negociatat aktuale të mazhorancës parlamentare, ai tha se duhet krijuar baza që mazhoranca të funksionojë. “Nëse vërtet nuk funksionojmë, atëherë duhet të gjejmë një model tjetër dhe të themi lamtumirë”, tha Abazoviq. Abazoviq u tha gazetarëve se zgjedhja e Këshillit Prokurorial është një nga çështjet më të rëndësishme në Mal të Zi, duke shtuar se çështja është thelbësore për sundimin e ligjit në Mal të Zi. “Apeli im për deputetët është që të zgjedhin përbërjen e plotë të Këshillit Prokurorial, sepse mund të futemi lehtësisht në një situatë që zgjedhim një përbërje të cunguar dhe nuk bëjmë asgjë, të krijohet përshtypja se është bërë diçka që gjërat të jenë identike”, tha Abazoviq dhe i bëri thirrje Kuvendit që ta bëjnë këtë sa më shpejt.

SHARE