CAREVIQ PRITI SOT NË TAKIM AMBASADORIN E SHQIPËRISË NË MAL TË ZI, RIDI KURTEZI

Kryetari i Komunës së Budvës, Marko Careviq, ka takuar sot në zyrën e tij ambasadorin e Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi. Me këtë rast, Careviq theksoi se Mali i Zi dhe Shqipëria, si dy vende fqinje, janë mbeshtetur tek njëra tjetra në aspektin ekonomik dhe turistik. “Turizmi është diçka që zakonisht na bashkon dhe mendoj se ka vend që ai të ngrihet në një nivel më të lartë dhe të përpiqemi së bashku përmes bashkëpunimit rajonal të vendosim tregun tonë drejt vendeve lider në botë si Rusia dhe Kina”, tha Careviq.  Ai bëri të ditur gjithashtu mundësinë që kryetarja e Bashkisë së Durrësit të vizitojë Budvën në periudhën e ardhshme si dhe të realizohen projekte në fushën e ndërtimit. Sipas deklaratës, ambasadori Kurtezi ka vlerësuar se takimi ka qenë konstruktiv dhe se ka biseduar për shumë tema me kryetarin e Komunës së Budvës, Marko Careviq. “Biseduam për ekonominë, bashkëpunimin në turizëm dhe jam shumë i lumtur për bashkëpunimin e ardhshëm mes Budvës dhe Durrësit.  Ky ishte takimi ynë i parë dhe do të jem i lumtur të vizitoj sërish Budvën,” – theksoi ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi.

SHARE