HAPET ZYRTARISHT URGJENCA NË TUZ

Sot është hapur zyrtarisht Urgjenca në Tuz. Urgjenca e rikonstruktuar sot me ceremoni u vu në funksion nga ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe drejtori i Institutit për Ndihmë Emergjente Mjekësore Vuk Nikoviq. Ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq theksoi se urgjenca mjekësore është një pjesë specifike, shumë e rëndësishme e sistemit shëndetësor dhe pasqyrë e cilësisë, suksesit dhe efikasitetit të tij. “Në këtë mënyrë po realizojmë një nga synimet tona strategjike, të cilin ua kemi premtuar qytetarëve tanë, e ai është modernizimi dhe përmirësimi i kësaj pjese shumë të rëndësishme të sistemit shëndetësor dhe hapja e njësive të kujdesit emergjent mjekësor në të gjitha komunat,” tha ajo. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për komunën dhe qytetarët e saj. “Kjo është një tjetër dëshmi e partneritetit mes pushtetit vendor, Institutit të Mjekësisë Urgjente dhe Ministrisë së Shëndetësisë, komunikimit tonë të mirë, falë të cilit i gjithë projekti u realizua shumë shpejt. Mendoj se ky është një model i bashkëpunimit të mirë dhe i sigurisht do të vazhdojmë edhe në të ardhmen për të mirën e qytetarëve tanë”, tha Gjeloshaj. Dr. Vuk Nikoviq theksoi gatishmërinë e menaxhmentit të Institutit për, siç tha ai, ngritjen e sistemit të neglizhuar të kujdesit urgjent mjekësor në nivel rajonal, madje edhe më lart.

SHARE