OKB: ÇMIMET E USHQIMEVE MË TË LARTAT NË 10 VJET

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara raportoi me shqetësim rritjen e cmimeve globale të ushqimeve, të cilat kanë mbërritur sipas saj nivelin më të lartë në më shumë se një dekade. Çmimet llogaritet të kenë pësuar një kapërcim prej mbi 30 për qind gjatë vitit të kaluar. Sipas FAO, në rritjen e çmimeve kanë kontribuar ndërprerjet e furnizimeve, mbyllja e fabrikave dhe tensionet politike. Organizata tha se çmimet e drithërave janë rritur më shumë se 22 për qind, krahasuar me një vit më parë. Çmimi i grurit ishte një nga kontribuuesit kryesorë në këtë situatë, pasi u rrit me 40 për qind në 12 muajt e fundit. FAO shpjegon se kjo ka ndodhur pasi eksportuesit kryesorë – Kanadaja, Rusia dhe SHBA-ja – kanë pasur të korra jo të mira. “Kemi pasur vite mjaft të këqija të korrjeve në shumë vende”, tha për BBC-në Peter Batt, ekspert i agrobiznesit në Shkollën Curtin Business në Perth të Australisë. FAO theksoi se çmimi i vajit bimor u rrit nga rritja e kostos së vajrave të palmës, sojës, lulediellit dhe farave.

SHARE