NË SHQIPËRI TË HËNËN HYN NË FUQI URDHRI PËR CERTIFIKATËN E VAKSINIMIT

Nga kjo e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor ne të gjitha shkollat e vendit. Nga qendra shëndetësore numër 4 ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se mbi 80% e mësuesve janë vaksinuar me 1 dozë dhe mbi 60% me dy doza. “Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”. Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar. “Për arsimtarët të cilët ende nuk e kanë kryer vaksinimin, do të duhet të paraqesin pranë institucioneve shkollore testin dhe të konfirmojnë që nuk janë të prekur nga Covid-19 dhe kjo kërkesë do të jetë kërkesë e përjavshme. Nga ana tjetër, vetë universitetet do të organizojnë mësimin e alternuar për ata studentë të cilët nuk do të kenë kryer ende vaksinimin”. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total mbi 1 mlionë e 680 mije vaksina dhe 754,020 qytetarë janë vaksinuar me të dyja dozat.

SHARE