KRIVOKAPIQ: RISTRUKTURIMI I QEVERISË, ME KUSHTE

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është pajtuar për ristrukturimin e kabinetit qeveritar, por vetëm nën disa kushte dhe njëri prej tyre është që ai të zgjedhë ministrat. Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e tij më 21 shtator. Riorganizimin e qeverisë e kanë kërkuar dy subjektet politike në pushtet, partia pro-serbe Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, ndërsa subjekti i tretë dhe më i vogël, Lëvizja Qytetare URA e ka kundërshtuar idenë. Fronti Demokratik dhe Demokratët më 16 shtator kanë njoftuar se kanë rënë dakord mbi domosdoshmërinë e ristrukturimit të Qeverisë së Malit të Zi. Sipas tyre kabineti qeveritar duhet të ketë 18 ministri dhe jo 12 sa ka tash si dhe tre zëvëndëskryeministra të cilët gjithashtu mund të jenë edhe udhëheq të resoreve ministrore. Zyra e kryeministrit Krivokapiq tha se ndryshimet në qeveri do të bazohen në një sërë parimesh. “Zëvendëskryeministri aktual, Dritan Abazoviq do të jetë zëvendëskryeministri i parë, dhe të gjithë zëvëndëskryeministrat tjerë do të jenë gjithashtu ministra të linjës. Emërimi i zëvendëskryeministrit është një e drejtë e kryeministrit ”, ka thënë Krivokapiq. “Kandidatët për ministra të rinj propozohen nga kryeministri pas konsultimeve me shumicën parlamentare, veçanërisht duke marrë parasysh marrëveshjen e vitit të kaluar të tre listave zgjedhore, kompetencën dhe barazinë gjinore “, u tha në deklaratë. Përveç ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kryeministri Krivokapiq, ka thënë se subjektet politike që përbëjnë qeverinë e Malit të Zi vendosin një moratorium në të gjitha çështjet, për të cilat nuk ka një konsensus të gjerë shoqëror dhe që shkaktojnë ndasi të thella në shoqërinë malazeze. “Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë detyrat kryesore”, ka thën kryeministri.

SHARE