KURTI: MASAT PËR TARGAT I HEQIM NËSE SERBIA VEPRON NJËSOJ

Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit me Serbinë sa i përket targave, nëse Beogradi do të bëjë të njëjtën gjë për targat e veturave nga Kosova, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Ky vendim është masë e barabartë me atë që Serbia e aplikon ndaj qytetarëve të Kosovës për dy dekada. Jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heq, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga ana e Serbisë. Pra, nuk është që ne i gëzohemi tabelave të përkohshme, do të dëshironim që as Kosova e as Serbia, të mos kenë fare tabela të përkohshme, por të mundësohet qarkullimi i lirë dhe pa vonesa i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti gjatë një konference për media të mërkurën në Prishtinë. Për shkak të reciprocitetit të vendosur për targat e automjeteve nga Serbia, që tri ditë janë të bllokuara dy rrugë nacionale në veri të vendit nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër kësaj mase.

SHARE