KURTI NË SHKUP: MBLEDHJA MIDIS DY QEVERIVE TONA, MOMENT HISTORIK

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të enjten, në Shkup në kuadër të seancës së përbashkët, kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi.Marrëveshjet kanë të bëjnë me sfera të ndryshme bashkëpunimi. Të dyja vendet nënshkruan: Marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren–Tetovë, marrëveshjet për bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullimin kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale. Kjo është mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve, e cila, siç kanë thënë nga qeveria në Shkup “konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në fushate e interesit të ndërsjellë mes dy vendeve dhe shkëmbimit të përvojave për bashkëpunimi më intensiv në rajon. Në fjalën e tij, kryeministri Zaev tha se mes dy vendeve zhvillohet një bashkëpunim i shkëlqyer, duke shtuar se mbledhja e përbashkët qeveritare është një impuls pozitiv për intensifikim të raporteve. Zaev gjithashtu tha se për Maqedoninë e Veriut, Kosova është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar, si dhe u shpreh se intensifikimi i bashkëpunimit kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit. Ai gjithashtu shprehu mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe gatishmëri për të ndarë eksperiencën në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Nga ana tjetër, Kurti e cilësoi mbledhjen e dy qeverive si “moment historik” në bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. “Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila për neve është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore”, tha Kurti.

SHARE