KOSOVA DHE MAQEDONIA E VERIUT RREZIKOJNË TË HUMBIN STATUSIN E VENDEVE TË SIGURTA

Kosova dhe Maqedonia e Veriut rrezikojnë të hiqen së shpejti nga lista e të ashtuquajturave shtete të sigurta, sa i përket pandemisë së koronavirusit. Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të besueshme se Sllovenia, si vend kryesues i Bashkimit Evropian, ka përpiluar një listë të re të vendeve, në të cilat duhet të kthehen masat kufizuese sa i takon lëvizjes në BE, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Shtetet anëtare të BE-së do të votojnë në ditët në vijim për miratimin e listës së përditësuar. Përveç Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mësohet se BE-ja ka përfshirë në listën e vendeve të pasigurta edhe Malin e Zi, Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Libanin.Në parim, sipas burimeve të BE-së, nga vendet që nuk janë në listën e “vendeve të sigurta” nuk lejohet hyrja në BE, pos në rastet kur udhëtimet janë të domosdoshme. Po ashtu kufizimet nuk vlejnë për ata që në territorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian kanë vendbanim ose udhëtojnë zyrtarisht. Përpara fillimit të sezonit veror dhe pas përmirësimit të situatës epidemiologjike, BE-ja i ka hequr kufizimet e udhëtimit për qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

SHARE