SHBA MIRATON DOZËN E TRETË TË VAKSINËS

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave i dha dritën jeshile dozës së tretë të të vaksinës Pfizer apo Moderna kundër COVID-19, për të gjithë personat me sistem imunitar të dobët. “FDA-ja është veçanërisht e vetëdijshme se njerëzit me imunitet të dobësuar janë veçanërisht të rrezikuar nga sëmundjet e rënda”, shpjegoi komisionerja në detyrë e agjencisë, Dr Janet Woodcock. “Individët e tjerë që janë plotësisht të vaksinuar mbrohen në mënyrë të duhur”, tha zonja Woodcock, “dhe nuk kanë nevojë për një dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 në këtë kohë”. Ndërkohë prej kohësh shkencëtarët kanë nisur debatin nëse duhet të ofrohen doza shtesë të vaksinave COVID-19 për disa njerëz me imunitet të dobësuar, siç janë ata që kanë organe të transplantuara apo pacientët me kancer. Një studim i kohëve të fundit nga Universiteti Johns Hopkins zbuloi se shumë pacientë me organe të transplantuara kishin pak ose aspak mbrojtje antitrupash pasi morën dy doza të plota të një vaksine, por një dozë e tretë rriti nivelin e antitrupave të tyre. Ndërkohë ekspertët amerikanë të shëndetësisë po vazhdojnë të monitorojnë nëse imuniteti i krijuar nga vaksina dobësohet mjaftueshëm që të jetë e nevojshme një dozë shtesë për secilin. Por Deri më tani është parë se vaksinat ofrojnë mbrojtje për popullsinë në përgjithësi, kanë thënë ata. Ky vendim vjen në një kohë kur varianti Delta i koronavirusit vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara dhe më tej në botë.

SHARE