NISIN HETIMET PËR SHEMBJEN E TEATRIT KOMBËTAR

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të mërkurë ka bërë me dije se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit. SPAK përmes një shkrese dërguar Sekretarit për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, ka konfirmuar nisjen e hetimeve. Sipas shkresës së SPAK, bëhet me dije se dhe kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal. “Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithë anshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informoj në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në përgjigjen e SPAK. Godina e Teatrit Kombëtar u shemb të dielën në 17 maj të 2020 në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerr protestuesit nga godina. Në SPAK janë depozituar disa kallëzime penale lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar, përfshi këtu edhe ato të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Ndoshta në hetimet e nisura nga SPAK mund të shërbejë edhe vendimi i Kushtetueses, që rrëzoi të gjithë procedurën e kalimit në pronësi të truallit dhe godinës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, e cila realizoi edhe shembjen.

SHARE