Forca e Re Demokratike ka reaguar për emërimet në shkolla duke theksuar se u bashkohet qytetarëve dhe prindërve të zemëruar nga emërimet e reja në sistemin arsimor në Komunën e Ulqinit. Nga Forca theksojnë se disa zgjidhje janë edhe qesharake. “Në një shkollë fillore shkarkohet një doktor i shkencave me një cilësi të dëshmuar në menaxhimin e shkollës. Në shkollën e dytë, drejtori me karakteristika të pacenuara njerëzore dhe profesionale ndryshohet, ndërsa në shkollën e tretë, u emërua një person i cili më 2 qershor 2021, me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit nr. 02-016 / 21-167-6 (Gazeta Zyrtare e Malit të Zi – Dispozitat komunale, nr. 18/2021) i emëruar si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ujësjellësit të Ulqinit, si kuadër i një partie tjetër të shumicës së përbërë nga DPS dhe partnerët e saj tradicionalë: PD, UDSH, LDMZ, SD dhe PB. Le të mos ketë konfuzion: nuk ka të bëjë me emërime në pozita udhëheqëse në shkolla, pavarësisht nga përkatësia politike ose kombëtare, por ka të bëjë me tregti të pandershme politike të atyre që pretendojnë se e janë kundër kësaj praktike,” vazhdon kumtesa e këtij subjekti politik. Po ashtu, ata thonë se me këto emërime, dhe sidomos me emërimin në Shkollën Fillore “Marshall Tito”, ministria ndryshoi vullnetin e stafit mësimor, vullnetin e prindërve, vullnetin e vetë bordit të shkollës, dhe hyri në një zonë ku nuk përfillen profesioni, titulli dhe puna e kaluar në shkollën më të madhe dygjuhësore në shtet, e cila derisa në krye ishte z. Arben Lunji, doktor i shkencave kompjuterike, ka marrë disa çmime në rajon për cilësim. “Tani nuk dihet saktë se a punojnë kundër ministres dhe profesionit këshilltarët e saj apo pëshpëritësit dhe urdhëruesit të cilët dyshojnë tek të parët. Sidoqoftë, trendi dhe pasojat janë të qarta: këto emërime politizojnë administrimin e shkollave në këtë komunë dhe shkatërrojnë cilësinë e mësimdhënies dhe i bëjnë me dije opinionit se tregtia politike ka filluar dhe se është e ligjshme,” përfundon kumtesa e Forcës së Re Demokratike.