KOSOVË, DITË ZIE PËR VIKTIMAT E AKSIDENTIT NË KROACI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të hënën ditë zie, pas aksidentit të autobusit Frankfurt-Prishtinë në magjistralen afër Slavonski Brod në Kroaci, në të cilën humbën jetën 10 qytetarë kosovarë dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.  Aktualisht gjendja e të lënduarve në këtë aksident të cilët po marrin ndihmë mjekësore nga autoritetet shëndetësore të Kroacisë, është stabile, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila bashkë me ministra tjerë e përfaqësues të institucioneve të Kosovës të prirë nga kryeministri Albin Kurti, shkuan të dielën pasdite në Kroaci. Pas takimit të delegacionit kosovar me autoritetet e larta kroate si dhe me të lënduarit, Gërvalla-Schwarz, tha të hënën se të lënduarit e aksidentit të cilët ndodhen në spitalin e qytetit Slavonski Brod, janë në gjendje stabile, ndërsa vetëm një nga ta është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb. “Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile”, shkroi Gërvalla-Schëarz. Ajo njoftoi se ekipet e institucioneve kosovare gjatë ditës së djeshme kanë vizituar familjet e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi për t’i njoftuar që të afërmit e tyre ndodhen në mesin e viktimave dhe për t’iu përcjellë ngushëllimet dhe mbështetjen e institucioneve të Kosovës. Kryediplomatja e Kosovës njoftoi po ashtu se sot së bashku me kryeministrin Kurti do të kthehen në Kosovë, derisa ministri i Brendshëm dhe ai i Shëndetësisë do të qëndrojnë në Slavonski Brod.  Të dielën në mbrëmje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me ambasadorin kroat dhe atë gjerman në Kosovë si dhe qytetarë të shumtë, ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, për t’i nderuar bashkatdhetarët që humbën jetën. “Në këto momente të vështira, të tronditur dhe të trishtuar, solidarizohemi dhe bashkëndiejmë me familjet e viktimave, si dhe lutemi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve”, shkroi Konjufca. Për arsye që lidhen me aksidentin ku humbën jetë 10 persona dhe mbi 40 të tjerë u lënduan, policia kroate ndaloi të dielën shoferin e autobusit. Zëvendësprokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka thënë se “shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat”. Pranjiq ka thënë po ashtu se përgjatë dëshmisë së tij, shoferi ka thënë se ka rënë në gjumë për një moment, megjithëse shtoi se “do të përcaktojnë gjithçka më vonë”.

SHARE