FORCA KËRKON ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME

Një tjetër shtyrje e seancës së parlamentit lokal, sipas Forcës së Re Demokratike, tregon se autoritetet në Ulqin po vonojnë, shtyjnë dhe lëvizin afatet, ku gjatë mbledhjes të enjten, është treguar që ky pushtet e ka shtyrjen si parim bazik. Kjo parti bën thirrje që mandati i Kuvendit Komunal të Ulqinit të shkurtohet dhe kështu të ketë zgjedhje të parakohshme. Siç theksojnë në kumtesë, vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Ulqinit, është shtyrë përsëri, kjo është shtyrja e 3-të me rradhë e mbledhjes e cila ka filluar më 2 qershor. “Shtyjnë mbledhjet e Kuvendit si të donë, shtyjnë njëri – tjetrin, shtyjnë problemet për më vonë, pikat e rendit të ditës për më vonë, shtyjnë problemet nën tapet e interesat e veta i shtyjnë përpara. Dhe kështu i shtyjnë ditët e një pushteti i cili nuk din të legalizojë dhënien në shfrytëzim të një hapësire Qendrës Sirena nga Qendra për Kulture, por di bukur mirë që individëve të tjerë, mu afër këtyre dy objekteve t’i japë truall për të shtrirë tarracën, apo hapur lokal. Kështu shtynë ditët administrata me sekretarë që nuk dinë të mbrojnë asnjë pikë të Kuvendit e që nuk din të realizojnë projektet madhore kapitale në infrastrukturën e qytetit për të cilat mjetet financiare presin në bankë,” thuhet në kumtesë. Nga Forca e Re Demokratike theksuan sekështu shtyjnë edhe agoninë e ndërmarrjeve publike, ku njëra është e paregjistruar, tjetra nuk jep rroga që 15 muaj, njëra nuk jep raporte pune, por paguhet nga Komuna përtej buxhetit përpara zgjedhjeve, por duke shtuar se të gjitha janë të zhytura në borxhe dhe këshillat drejtuese të atyre ndërmarrje sillen sikur ata nuk janë përgjegjës për to. “Tash kanë filluar luftën se kush do të udhëheq edhe mediat publike pavarësia e të cilave mbrohet nga ligji dhe monitorohet nga Unioni Evropian në raportin e tij për Malin e Zi ku mediat trajtohen me shumë kujdes. Ama ligji do t’i mbërrisë shkelësit herët a vonë. Është e qartë se ky pushtet lokal është duke e çuar Komunën e Ulqinit drejt greminës dhe për këtë arsye përsëri ju ftojmë që të shkurtojmë mandatin e Kuvendit të Ulqinit dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Qytetarët e Ulqinit meritojnë një pushtet të përgjegjshëm dhe serioz e jo një grup fillestarësh me aftësi e dituri të pamjaftueshme për ta zhvilluar Ulqinin,” përfundon kumtesa nga Forca.

SHARE