Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në MZ, Shuqko Bakoviq, në Raportin e punës për vitin e kaluar, vlerësoi se Administratat e shkollave, më së shpeshti, interesin e mësuesve e vendosin përpara interesave të nxënësve.
Mbrojtësi i të drejtave të njeriut për vitin e kaluar, trajtoi një numër rastesh në të cilat u theksuan metodat jo-pedagogjike të mësimdhënies.
“Rezultatet e ekzaminimeve të kryera të procesit të provimeve kanë treguar se administratat shkollore, shpeshherë, e vënë interesin e mësuesve përpara interesave të nxënësve, ndërsa roli i shërbimeve pedagogjike dhe psikologjike është modest, kurse në punën e tyre do të duhej të përfshihen edhe këto situata në mënyrë që të parandalohen dhe të zgjidhen problemet dhe kështu mos të vihet deri te thellimi i konflikteve dhe keqkuptimeve në marrëdhënien kur nxënësit janë palë më e dobët”, thuhet në raport.
Avokati i Popullit, thekson se në rast se problemi eskalon zakonisht përfshihen prindërit ose inspektimi arsimor, kështu që situata shpesh zgjidhet në fund duke i transferuar nxënësit në një departament tjetër ose në një shkollë tjetër, prandaj kjo sipas avokatit të popullit nuk duhet të bëhet praktike.
“Puna e përbashkët, me ndërmjetësimin e një eksperti dhe mbështetjen e administratës së shkollës, do të ndihmojë në ruajtjen e një atmosfere të këndshme dhe profesionale në klasë, për të krijuar kënaqësi të dyanshme si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit”,vlerësoi Avokati i Popullit, Shuqko Bakoviq.