Në kuadër të vizitës në SHBA, kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj ka zhvilluar takimin e radhës me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me kongresmenin Ritchie John Tores, i cili njëherësh është edhe anëtar i Këshillit për financa në Kongresin Amerikan si dhe nënkryetar i Këshillit për siguri kombëtare në Kongres të SHBA-së. Në fokus të diskutimit ishte situata aktuale e shqiptarëve në Mal të Zi, largimi i Malit te Zi nga rruga e sigurt e shtetit qytetarë dhe kthimin në atë klerik, me fokus të veçantë pastrimin etnik të institucioneve shtetërore. Gjithashtu Gjeloshaj njoftoi kongresmenin Tores edhe me diskriminimin që Qeveria dhe kryeministri aktual i Malit të Zi, po u shkakton komunave shqiptare, në veçanti Komunës së Tuzit. “Një tjetër çështje e rëndësishme që u dikutua në takim ishte edhe veprimi i Prokurorisë së shtetit, me motive politike dhe antishqiptare, për protestën paqësore të realizuar në shkurt nga Komuna e Tuzit dhe pronarët e lokaleve, duke montuar procese gjyqësore për mua personalisht dhe bashkëpuntorët. Ata madje me ndihmën e policisë tentuan ta kalojnë atë në rezistencë e deri te kërkimi i kësaj prokurorie që afaristët të dëshmojnë kundër meje dhe si favor të mos gjykohen,” thekson Gjeloshaj. Siç thotë Gjeloshaj, z.Tores, është i njohur si mbështetës i lëvizjeve demokratike dhe mik i shqiptarëve. Ai po ashtu spikatet për ide të qarta të demokratizimit në Mal të Zi në shtet qytetarë, e jo kleriko/nacionalist. Ai edhe në takim, ndër të tjera nënvizoi mbështetjen e plotë për shqiptarët në Mal të Zi, duke përçuar problematikat tona tek Kongresi dhe administrata Biden, që shteti më i fuqishëm në botë të bëjë trysnin ndaj Qeverisë e cila diskriminon politikisht dhe ekonomikisht shqiptarët. “Rikujtoj që Kongresmeni, Z.Tores është pasardhës i Eliot Engel ky i fundit mbështetës i flaktë i kauzave shqiptare në Kongresin amerikan, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në të kaluarën për shqiptarët. I bindur që edhe takimi i sotëm me mua si dhe intersimi për shqiptarët po e dëshmon se po e afron çdo ditë e më shumë edhe pasardhësin e vet me komunitetin shqiptar dhe kauzat me të cilat ne ballafaqohemi çdo ditë,” shkruan Gjeloshaj.