SHQIPËRIA E MAQEDONIA BLLOKOHEN: NUK KA DATË PËR KONFERENCË NDËRQEVERITARE ME BE-në

Të mbledhur në Luksemburg, të 27 ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje as për kuadrin negociues dhe as për mbajten e konferencës së parë ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe midis Bashkimit Europian dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo për shkak të vetos që vazhdon të vendosë Bullgaria lidhur me marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Maqedoninê e Veriut dhe pretendimet lidhur me gjuhën dhe historinë e Maqedonisë së Veriut, raporton ABC. Për herë të parë pas 7 vjetësh ( pas akordimit të statusit te vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014) asnjë shtet anëtar i Bashkimit Europian nuk ka asnjë rezervë lidhur me përmbushjen e mjaftueshme të kushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Por shumica dërrmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk dëshiron të bëjë ndarje midis dy vendeve dhe të ecë përpara me Shqipërinë, ashtu si nuk u bë ndarje midis dy vendeve në 2019.  Burime zyrtare të Bashkimit Europian bëjnë të ditur për ABC, se ka një numër në rritje të shteteve anëtare që kërkojnë të ecin përpara me të dy vendet. Ndërkohë, pa aprovimin e kuadrit negociues nuk është i mundur fiksimi i një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

SHARE