SHTËPIA E BARDHË NJOFTON PËR NDARJEN E VAKSINAVE, NË LISTË EDHE KOSOVA

Përmes një deklarate të publikuar në uebfaqen zyrtare, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për shpërndarjen e miliona dozave të vaksinës për Covid-19 në mbarë botën, duke e përmendur edhe Kosovën në listën e shteteve që do të përfitojnë nga ky plan. “Sot, Administrata Biden-Harris njofton për listën shpërndarëse për 55 nga 80 milionë dozat nga rezervat e Amerikës që Presidenti Biden është zotuar se do t’i ndajë deri në fund të qershorit në shërbim të përfundimit të pandemisë në nivel global”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. “Përafërsisht 14 milionë – ose 25 për qind e këtyre 55 milionë vaksinave – do të ndahen ne prioritetet rajonale dhe marrësit e tjerë”, thuhet në paragrafin ku, në mesin e shumë shteteve, përmendet edhe Kosova, shkruan Gazeta Express. Në mesin e shteteve ballkanike që do të përfitojnë nga këto doza, përpos Kosovës, është edhe Bosnja, por jo edhe ndonjë vend tjetër i rajonit. Në listë janë kryesisht shtetet e varfra nga Afrika, Azia, Amerika Jugore dhe Evropa Lindore. Aty janë përfshirë edhe Jemeni e Gaza, vende që janë goditur edhe nga kriza e pasigurisë, përpos pandemisë e varfërisë. Qeveria e ShBA-së njoftoi se rreth 16 milionë doza do të ndahen për shtetet aziatike dhe disa vende të Rajonit të Paqësorit, ndërsa rreth 14 milionë të tjera për shtetet e Amerikës Jugore dhe Amerikës së Mesme.

SHARE