MIRATOHET BUXHETI PËR VITIN 2021 DHE REZOLUTA PËR SREBRENICËN, SHKARKOHET MINISTRI LEPOSAVIQ

Parlamenti i Malit të Zi në seancën e sotme miratoi Ligjin për buxhetin e vitit aktual, i cili mori besimin 42 deputetëve të pranishëm. Po ashtu, u miratua një ndryshim mbi përfitimet për nënat me tre ose më shumë fëmijë. Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, ka prezentuar 3 amendamente, ku deputetët njëzëri i miratuan, për më shumë mjete për komunat e  Tuzit dhe Ulqinit. Amendamenti i parë ishte për komunën e Tuzit, konkretisht ndarjen e mjeteve për rrugën Tuz-Mataguzh, me vlerë prej 4 milionë euro, kurse amendamenti i dytë për vazhdimin e ndërtimit të rrugëve në Kala me vlerë prej 500.000 euro, projekt ky i filluar dhe është në ndërtim e sipër të fazës së parë, dhe siç shton Nimanbegu, këto mjete janë të nevojshme me qellim të përfundimit të projektit sa më shpejt të jetë e mundur. Amendamenti i tretë i kushtohet lundrueshmërisë së lumit Buna, gjegjësisht ndarjes së 50.000 eurove për pagesën e këshilltarit për hartimin e sinjalizimit të lundrueshmërisë. Parlamenti i Malit të Zi miratoi Rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë, e cila u propozua nga Partia Boshnjake. Në momentin kur po votohej për rezoluten, deputetët e PDS-së hynë në sallën e asamblesë. 55 deputetë votuan pro, 19 kundër dhe 7 të përmbajtur. Parlamenti i Malit të Zi shkarkoi Ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq. 43 deputetë votuan për largimin e Leposaviqit, 27 ishin kundër, ndërsa 10 deputetë abstenuan. Pas një vendimi të tillë të parlamentit, FD njoftoi bojkot.

SHARE