MINISTRJA INJAC TAKON HOMOLOGEN E SAJ NGA MAQEDONIA E VERIUT

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, priti sot në takim ministren e Mbrojtjes të Malit të Zi, Olivera Injac, e cila po qëndron në vizitë pune në Shkup.  Në konferencën për media pas takimit dypalësh, ministrja Shekerinska theksoi se Injac edhe më herët ka qenë pjesë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, pasi ajo ka qenë pjesë e bordit editorial të revistës ndërkombëtare shkencore “Mbrojtja bashkëkohore maqedonase” të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut. Shekerinska gjithashtu tha se kadetë nga Mali i Zi janë pjesë e Akademisë Ushtarake në Shkup, ndërsa theksoi se anëtarësimi i dy vendeve në aleancën e NATO-s i dha një rëndësi të veçantë rajonit dhe siguri më të madhe. “Me të vërtetë është një gjë e rrallë në rajonin tonë të keni dy shtete që asnjëherë nuk kanë pasur çështje të hapura. Kemi fatin që Maqedonia e Veriut dhe Mali i zi janë një shembull i këtillë. Por, anëtarësimi ynë në NATO, që erdhi menjëherë pas anëtarësimit të Malit të Zi, tregoi se shtetet mund të jenë shumë më ambicioze kur bëhen aleate”, tha Shekerinska. Duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në sferën e mbrojtjes, ministrja e Mbrojtjes të Malit të Zi, Olivera Injac, tha se në takim kanë ndarë idetë dhe qëllimet e përbashkëta në drejtim të përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit, si dhe mundësive për bashkëpunim më të madh. “Do të theksoja se bashkëpunimi i shkëlqyer nuk është vetëm në fushën e mbrojtjes, por dy shtetet tona dhe dy qeveritë tona kanë shumë tema që kanë potencial për bashkëpunim edhe më të mirë, veçanërisht në këtë periudhë të stabilizimit pas COVID-19”, tha Injac. Dy ministret paralajmëruan bashkëpunim dhe përfaqësim të përbashkët edhe në projekte tjera, duke përfshirë edhe dërgimin e oficerëve nga të dyja vendet në universitetin ushtarak të NATO-s në Romë.

SHARE