DEÇIQI FITON NDESHJEN NDAJ SUTJESKËS DHE SIGURON EUROPËN

Pas daljes në finalen e Kupës së Malit të Zi, KF Deçiq mbrëmë ka arritur edhe një tjetër sukses. Me fitoren në transfertë 2-1 ndaj Sutjeskës së Nikshiqit, KF Deçiq është rikthyer në vendin e dytë në rënditje, por jo vetëm kaq, por me këtë fitore ka siguruar edhe kualifikimin për në Kupat e Evropës tre javë para fundit të kampionatit. Ishte pikërisht Markoviq i Sutjeskës që shënoi golin e parë të kësaj ndeshje, por 2 minuta më vonë golin e barazimit nga penaltia e shënoi futbollisti i Deçiqit Kristijan Vulaj. Periudha emocionuese e ndeshjes vazhdoi në minutën e 69-të, kur Marko Tuqi vodhi topin nga Bulatoviqi, ja pasoi Admir Adroviqit, dhe golashënuesi më i mirë i ligës malazeze të të gjitha kohërave shënoi golin e parë në këtë kampionat, kundër klubit ku ai luajti në pjesen e parë të sezonit. Atmosfera në Tuz mbrëmë ishte e zjarrtë ku sportdashësit nga tërë Malësia kishin dalur për të pritur lojtarët dhe stafin profesional, të udhëhequr nga Edis Mullalliq, ku festuan suksesin më të madh në historinë e klubit deri më tani.

SHARE