Në zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, të cilat do të mbahen më 15 prill, do të garojnë shtatë kandidatë për president.
Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturës përfundoi dje në mesnatë.
Në zgjedhjet presidenciale do të marrin pjesë kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve Millo Gjukanoviq, kandidati i pavarur i mbështetur nga shumica e partive opozitare të përbërë nga Fronti Demokratik, Mali i Zi Demokratik, Lëvizja Qytetare Ura, Partia Socialiste Popullore dhe Mali i Zi i Bashkuar, Mlladen Bojaniq, kandidatja e Partisë Social Demokratike Draginja Vuksanoviq, kandidati i Partisë Mali i Zi i Vërtetë Marko Millaçiq, afaristi Vasillije Millickoviq, kandidati i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit të Malit të Zi , Hazbija Kallaç dhe kandidati i Koalicionit sërb Dobrilo Dedeiq.
Ndërkaq përkrahje në zgjedhjet presidenciale kandidatit të Partisë Demokratike të Socialistëve Millo Gjukanoviq, sot i kanë dhënë edhe Alternativa Shqiptare.
Siç kumtojnë nga kjo parti politike Udhëheqësia e Alternativës Shqiptare në seancën e mbrëmshme ka vendos të mbështesë kandidatin e koalicionit qeverisës në nivel republikan, Millo Gjukanoviq.
Siç kumtuan, ata janë të bindur se Gjukanoviq është një garanci personale e integrimit euroatlantik, marrëdhënieve të mira në rajon dhe demokracisë multietnike në Mal të Zi.
Ata theksuan se politika e jashtme e koalicionit qeverisës ka kontribuar në përmirësimin dhe forcimin e marrëdhënieve të mira midis Malit të me Shqipërinë dhe Kosovën.
Kujtojmë se ditë më parë përkrahje për kandidatin e Partisë Demokratike të Socialistëve Millo Gjukanoviq, kanë dhënë edhe Partia Demokratike e Fatmir Gjekës dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Mehmed Zenkës.
Presidentët e Malit të Zi ishin Filip Vujanoviq (tre mandate), Momir Bulatoviq (dy mandate) dhe Millo Gjukanoviq (një mandat).