BB: EKONOMIA E KOSOVËS NË NIVELET E PARA PANDEMISË RIKTHEHET MË 2022

Banka Botërore në raportin e publikuar të martën vlerëson se pas një recesioni historik, pritet rimëkëmbje graduale ekonomike në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pritet të kenë sërish rritje ekonomike gjatë vitit 2021, pas recesionit të 2020-ës, më i rëndi i regjistruar ndonjëherë në rajon. “Pas goditjes së rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, që rezultoi me një tkurrje të aktivitetit ekonomik të rajonit në një nivel të vlerësuar prej -3.4 përqind në vitin e kaluar, rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të rritet me 4.4 për qind në vitin 2021”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Ritmi i rritjes ekonomike, siç thuhet në raportin e Bankës Botërore, pritet të stabilizohet në 3.7 për qind përgjatë 2022 dhe 2023.

SHARE