ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË SHQIPËRI, KRYESON PARTIA SOCIALISTE

Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndërkohë kryeson partia në pushtet, Partia Socialist (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numërimi i votave të 2.604 qendrave të votimit ose rreth 50 për qind nga 5.199 gjithsej, kryeson PS-ja me 48,80 për qind të votave. Në vend të dytë renditet koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me 39,29 për qind të votave. Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), renditet në vend të tretë me 7,05 për qind. Në zgjedhjet parlamentare konkurruan dy koalicione, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike. Gjithashtu 10 parti politike garuan më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe disa kandidatë të pavarur. Risia e këtyre zgjedhjeve ishte procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që u aplikua në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja.

SHARE