BEÇIQ: PËR LIGJET E PROKURORISË DHE BUXHETIN MUND TË DISKUTOHET MË 11 MAJ

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, njoftoi se është e mundur që seanca në të cilën do të diskutohen ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë e Shtetit të mbahet më 11 maj. Sot, Beçiq zhvilloi një takim me nënkryetarët e Kuvendit dhe shefat e klubeve të deputetëve të shumicës parlamentare. Ai deklaroi në Twitter se ishte rënë dakord që nëse Ligji për Ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë e Shtetit hyn në procedurë, dhe duke pasur parasysh Orën e Kryeministrit, festat, punën dinamike në komisione, krijohen parakushte për seancën e Parlamentit të Malit të Zi që të mbahet më 11 maj. “Në seancë do të diskutohet: propozimi i ligjit në fjalë, propozimi i buxhetit, zgjedhja e Këshillit të ri RTMZ, shumë projektligje të tjera, vendime dhe raporte, si dhe çështje në fushën e zgjedhjeve, emërimeve dhe shkarkimeve,” shkroi Beçiq. Kryetari i Parlamentit nuk specifikoi nëse shkarkimi i Ministrit të Drejtësisë Vlladimir Leposaviq do të diskutohet më 11 maj, ku më herët u njoftua se kjo çështje do të jetë në rendin e ditës kur të plotësohen kushtet politike.

SHARE