ABAZOVIQ: NUK KA NDARJE BRENDA KOALICIONIT QEVERISËS

Nuk ka ndarje brenda koalicionit qeverisës në Malin e Zi, tha Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq. “Unë e kuptoj që opozita thekson tema që nuk mundi t’i përfundojë në mandatin e saj për të sjellë mosmarrëveshje, me qëllim të mbrojtjes së kapitalit të saj, por Ministri i Drejtësisë Vlladimir Leposaviq gjithashtu duhej ta kuptonte këtë,” shpjegoi Abazoviq. Ai mendon se ministri “bëri një shkelje”, dhe se i takoi Kryeministrit të Malit të Zi Zdravko Krivokapiq të “vlerësojë dhe deri në çfarë mase”. “Ai e mori vendimin dhe tani duhet të shohim se çfarë implikimesh do të ketë vendimi në reflektimin e shumicës politike,” tha Abazoviq. I pyetur nga gazetarët e N1 nëse Qeveria ka një qëndrim të përbashkët për çështjen e Srebrenicës, Abazoviq u përgjigj: “Qeveria ka një qëndrim të përbashkët që të gjithë duhet të respektojmë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Dhe jo vetëm gjykatat ndërkombëtare, por edhe të gjitha ato vendime që drejtpërdrejt ose indirekt kishin të bënin me vendin tonë, kaluan nëpër institucionet tona…”. Ai vuri në dukje se Mali i Zi ka një deklaratë mbi gjenocidin në Srebrenicë dhe se ata duhet t’i përmbahen asaj. “Është diçka që është absolutisht çështje parimore,” përfundoi Abazoviq.

SHARE