JUNÇAJ: 110 VJETORI I NGRITJES SË FLAMURIT NË DEÇIQ

Nga Mark Junçaj, prof. i Historisë

     Sot është një ngjarje shumë e rëndësishme historike, pasi që plotësohen 110 vite nga ngritja e flamurit në Deçiq. Flamuri në Deçiq u ngrit gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Malësisë dhe bënë pjesë në ngjarjet e rëndësishme të historisë kombëtare. Mirëpo, për ta kuptuar më mirë, të kthehemi pak mbrapa në kohë dhe të shohim pak rrjedhën e ngritjes së flamurit shqiptar në Deçiq.

    Që nga viti 1479, viset e Mbishkodrës do të pushtohen nga Perandoria Osmane. Këto vise, gjatë shekujve të robërimit, shumë shpesh, u ngritën kundër sundimit osman. Vlen të përmendet se Malësia e Madhe, së bashku me disa treva tjera, do të jetë një nga viset më kryengritëse shqiptare. E njohur është kryengritja e v. 1638, ku do të veçohet Nora e Këlmendit, pastaj kryengritja e v. ’80 të shek. XVII etj.

    Mirëpo, edhe më tutje trevat shqiptare vazhduan të mbetën nën sundimin osman. Në v.1910 kishte plasur kryengritja në Kosovë, e cila u shua me gjak. Pas kësaj kryengritje, osmanët filluan çarmatimin e popullsisë edhe në vilajetin e Shkodrës, i cili veprim ndikoi në kalimin e malësorëve në Mal të Zi. Pasi që kaluan në Mal të Zi, filluan përgatitjet për kryengritje të re, e cila shpërtheu më 24 mars 1911. Kryengritja e Malësisë së Madhe filloi me sulmin ndaj fortifikatës osmane në Rapshë. Kjo ngjarje, nuk mbeti një ngjarje e vetmuar, por menjëherë u ngrit e gjithë Malësia në kryengritje. Drejtues i kësaj kryengritje ishte Dedë Gjon Luli, i cili, edhe pse në moshën 71 vjeçare, i udhëhoqi malësorët në luftë me osmanët. Malësorët vazhduan gjatë ditëve në vijim me fitore, ashtu që, pothuajse, gati nga e gjithë Malësia e Madhe u dëbuan ushtarët osmanë. Më 28 mars malësorët sulmuan Tuzin dhe e morën, por për shkak të mungesës së armatimit të rëndë, nuk arritën ta marrin kalanë e Shipshanikut, në të cilën u tërhoq ushtria osmane e Tuzit. Malësorët, më 30 mars, provuan ta marrin edhe qendrën tjetër të Malësisë, Koplikun, por, sikurse edhe në Tuz, ashtu edhe në Koplik, për shkak të mungesës së armatimit të rëndë,  nuk patën sukses.

     Luftime të përgjakshme u zhvilluan më 6 prill 1911 dhe në këtë ditë malësorët e ngritën flamurin e Kastriotit në Deçiq. Flamurin e ngriti kushëriri i Dedë Gjon Lulit, Nikë Gjelosh Luli Dedvukaj, i cili ra heroikisht në luftë me osmanët më 3 maj 1911. Ngritja e flamurit ka rëndësi të madhe, pasi që në këtë mënyrë u dëshmua se për çka po luftojnë malësoret dhe se çfarë karakteri kishte kryengritja. Perandoria Osmane dhe shtetet sllave ishin munduar që kryengritjen e Malësisë ta paraqesin si një ngjarje të parëndësishme, si një kryengritje lokale apo katolike, e cila gjë u mohua me ngritjen e flamurit kombëtar dhe me Memorandumin e Greçës të 23 qershorit 1911. Kjo ngjarje nuk është vlerësuar sa duhet, pasi që do të duhej të ishte festë kombëtare dhe të festohet edhe jashtë Malësisë së Madhe. Po ashtu, do të duhej të jetë dita e Malësisë së Madhe, pasi që nuk ka ndonjë ngjarje më të rëndësishme dhe besoj se nuk ka ndonjë malësorë që nuk krenohet me këtë ngjarje.

    Mirëpo, fatkeqësisht, ende ka të tillë që mundohen me e zhvlerësua kryengritjen ose mos me e pranua ngritjen e flamurit në Deçiq, pasi që, sipas tyre, nuk ka “fakte të mjaftueshme”. Këtë gabim, me qëllim apo pa qëllim, e ka bërë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, e cila, në veprën “Historia e Popullit Shqiptar II”, e botuar në Tiranë në v. 2002, në fq. 445 ndër të tjera shkruan: “Më 6 prill u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat. Por, luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit …”. Mirëpo, as në një fjali nuk përmendet ngritja e flamurit nga malësorët, sikur ngritja e flamurit mos të kishte ndodhur fare! Ky mohim i ngritjes së flamurit është një mosmirënjohje ndaj atyre që luftuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe i paraprinë ngritjes së flamurit në Vlorë. Mirëpo, një ngjarje e tillë nuk mund të mohohet, pasi që, përveç kujtesës kolektive të malësorëve, të cilët, e kanë mbajt mend edhe ditën, 6 prillin, ekzistojnë edhe shkrimet të cilat e vërtetojnë ngritjen e flamurit të Kastriotit në Deçiq. Po ashtu, edhe shtypi i kohës i ka dhënë rëndësi kësaj ngjarje.

   Gazata italiane “La Stampa” e datës 10 prill 1911, lidhur me luftimet e malësorëve, ndër të tjera, shkruan: “kanë ngritur flamurin e kryengritjes”. Në këtë rast, ndoshta, dikujt mund edhe ti duket si një fjali e paqartë, mirëpo, e njëjta gazetë, “La Stampa”, pas disa ditësh, më 18 prill 1911, ndër të tjera, shkruan: “Kryengritësit luftojnë nën flamurin shqiptar kuqë e zi.” Këtu, shihet qartë, se është fjala për ngritjen e flamurit shqiptar, pasi që edhe e potencon “nën flamurin shqiptar kuq e zi”. Edhe gazeta malazeze “Cetinjski Vjesnik” e datës 7/20 prillit 1911 na dëfton se “qarkullojnë zërat se shqiptarët po luftojnë me flamur të Lekës së Madh, por është lajm i rrejshëm”. Gazeta tjetër malazeze “Glas Crnogorca” e 2/15 prillit 1911, lajmëron se “qeveria osmane ka sjell vendimin që të ndalohen flamujt shqiptarë me figurën e Lekës së Madh.” Pra, këto dy gazeta cekin përdorimin e flamurit të Lekës së Madh nga malësorët. Sa për sqarim, dihet se Gjergj Kastrioti e ka fituar emrin Skënder nga osmanët, i cili emër iu dha për shkak të trimërisë dhe ngjashmërisë me Lekën e Madh, pasi që emri islam Skënder tek të krishterët shndërrohet në Lekë (Aleksandër). Pra, fjala është për përdorimin e flamurit të Kastriotit. Gazeta “Cetinjski Vjesnik” e cekë se lajmi është i rrejshëm, mirëpo, shtrohet pyetja: Pse qarkullojnë zërat se po luftohet me flamur shqiptar? E dimë se Malit të Zi nuk i konvenon që kjo kryengritje të ketë karakter kombëtar, prandaj edhe mundohet kjo gazetë ta mohoj ngritjen e flamurit. Ndërsa, gazeta “Glas Crnogorca” tregon se osmanët po i ndalon flamujt shqiptarë dhe shtrohet pyetja: Pse ky vendim i Perandorisë Osmane, nëse malësoret nuk e përdorin flamurin shqiptar? Nga ky shkrim, bile shihet qartë se në Malësi flamuri veç është përhapur. Edhe shtypi shqiptar i mes dy luftërave botërore e vërteton ngritjen e flamurit shqiptar në Deçiq. At Gjergj Fishta në gazetën “Ora e Maleve”, nr. 11 të datës 24 qershor 1923, në një artikull për ngritjen e shtatores së Dedë Gjo’ Lulit, ndër të tjera, shkruan: “Malësorët ngritën flamurin në Deçiq”. Revista “Hylli i Dritës”, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në disa numra do tu kushtoj artikuj ngjarjeve të rëndësishme që i paraprinë pavarësisë dhe nuk e harron kryengritjen e Malësisë dhe ngritjen e flamurit në Deçiq. Revista “Hylli i Dritës” e qershorit 1937 tregon për ngritjen e flamurit në Deçiq, të cilën gjë e përsërit edhe numri i korrik-gushtit 1937.  Ndërsa, “Hylli i Dritës” i nëntor 1937 e jep edhe emrin e atij që e ngriti flamurin –Nikë Gjelosh Luli. Në revistën “Hylli i Dritës” të prillit 1944, shkruan për ngritjen e flamurit në Deçiq dhe bile, artikullshkrues është kapiten Gjelosh Luli. Në të është vendosur edhe fotografia e flamurit të ngritur në Deçiq. Edhe revista “Leka” e qershorit 1937 flet për ngritjen e flamurit në Deçiq.

    Po ashtu, edhe disa pjesëmarrës të kryengritjes e kanë dëshmuar këtë në ndonjë kujtim të marrur nga ndonjë person që i ka intervistuar. Këtë e ka bërë edhe Sandër Gera, i cili ka vizituar Nore Kolën, bashkëshorten e  Kolës së Dedë Gjo’Lulit. Nora, ndër të tjera, lidhur me ngjarjen e Deçiqit, thotë:“I shkathti e trimi syzjarr Nik Gjelosh Luli tue shkye nga shtiza flamurin e Turqisë e naltoi flamurin kombëtar, i cili valviti mbas ca shekujsh në qiellin shqiptar”. Pastaj, vazhdon:”Brohortija e malësorëve ushtonte skaj më skaj atje nalt, ndërsa flamuri kuq e zi valëviste mbi shtizën e gjatë…Një luftëtar filloi të këndoj maje krahu.”

     Besoj që këta artikuj të shtypit të huaj, të kohës, dhe shqiptar, e vërtetojnë ngritjen e flamurit në Deçiq. Por, çka të themi për Nore Kolën, a mund të dyshojmë në fjalët e saj? Në një figurë, e cila ishte pjesë e familjes drejtuese të kryengritjes? Besoj se nuk mund të dyshojmë në fjalët e saj, pasi që, dihet, se në kryengritjen e Malësisë së Madhe kanë marrë pjesë edhe gratë. Kështu që, ata të cilët e mohojnë një ngjarje të tillë siç është ngritja e flamurit në Deçiq, nuk e duan historinë e mirëfilltë, pasi që historia e ka për detyrë ta paraqes të vërtetën. Po ashtu, as nga aspekti kombëtar, nuk i bëjnë nderë as vetës dhe as kombit, pasi, e përsëris, 6 prilli duhet të jetë festë kombëtare dhe, në veçanti, të shpallet dhe të festohet si dita e Malësisë së Madhe.

     Urime 6 prillin – ditën e ngritjes së flamurit në Deçiq dhe ditën e lavdisë së Malësisë së Madhe!

SHARE