GJELOSHAJ: QEVERIA TË KTHEJË KUFIRIN ADMINISTRATIV TË KOMUNËS SË TUZIT

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, theksoi se Kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe Zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, pas zgjedhjes në krye të pozitave udhëheqëse në Qeverinë e Malit të Zi, ndër hapat e parë që ndërmorën ishte ndryshimi i kufirit administrativ të Komunës së Tuzit. “Në punën e përditshme të sekretarijateve tona, kemi vërejtur një ndryshim në kufirin tonë (Komunës së Tuzit) në gjeoportal. Ata ndryshuan territorin tonë në mënyrë që e zhvendosen deponinë në territorin e kryeqytetit Podgorica,” tha Gjeloshaj. Siç theksoi ai, as PDS-ja nuk e bëri këtë, megjithëse kjo ishte e vetmja pikë kontestuese me atë parti. “Do ta keni Malesinë para Qeverisë, unë ju dhashë një afat, tani duhet urgjentisht të ktheni vijën administrative të komunës sonë siç u miratua në Parlamentin e Malit të Zi. Këto veprime të tilla antishqiptare nuk mund ti durojmë më, sepse përveç kësaj, Qeveria e Malit të Zi ka bllokuar pagesën e fondeve komunës sonë, mjeteve që na përkasin me ligj,” thekson Gjeloshaj. Ai u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të pranishme në Mal të Zi që të reagojnë. “Qytetarët e Malesisë do të kenë përgjigje të ashpër ndaj këtij provokimi të ri,” përfundoi kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.

SHARE