Unioni Demokratik i Shqiptarëve paralajmëroi për mungesën e barnave të nevojshme për të luftuar koronavirusin dhe akuzoi institucionet farmaceutike për rritjen e çmimeve të barnave kohët e fundit.
Partia i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të ndërhyjnë urgjentisht. “ Të gjithë e dimë se situata epidemiologjike në Ulqin është jashtëzakonisht e vështirë dhe komplekse. Sot, Ulqini është komuna me numrin më të madh të infektuar për kokë banori. Fatkeqësisht, numri i njerëzve të infektuar po rritet jashtëzakonisht dita ditës. Disa ditë më parë, kishim 64 të infektuar, që ishte rreth 11% e numrit të përgjithshëm të të infektuarve atë ditë në Malin e Zi. Ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve është infektimi me COVID-19 që pothuajse I ka kapluar të gjitha institucionet dhe kompanitë në këtë komunë. E gjithë kjo kishte një ndikim shumë negativ, jo vetëm në shëndetin e qytetarëve, por edhe në shëndetësi, arsim, institucionet komunale dhe shtetërore, për të mos përmendur ekonominë dhe standardin e jetesës së qytetarëve,” thuhet në kumtesen e Unionit Demokratik të Shqiptarëve.
Ata theksojnë se janë edhe më të shqetësuar për mungesën e përgjithshme të ilaçeve në spitalin e Tivarit, ku pacientët duhet të blejnë të gjitha ilaçet vetë. “Gjithashtu shumë shqetësuese është që kjo pandemi po abuzohet nga institucionet farmaceutike që kanë rritur çmimet e ilaçeve (të paktën 100%), të cilat janë shumë të nevojshme për luftën kundër kovidit, të cilat në këtë situatë të vështirë shëndetësore dhe ekonomike ngarkon qytetarët e Ulqini dhe Malit të Zi (për të mos thënë pamundëson) furnizimin e tyre. Edhe kur shtojmë mungesën e vaksinave, është e qartë se qytetarët janë lënë në mëshirën e Covid-19,” thuhet në njoftim.