LIDERËT POLITIKË NGA KOSOVA, MALI I ZI, MAQEDONIA DHE PRESHEVA SHËNOJNË 577-VJETORIN E BESËLIDHJES SË LEZHËS

Besëlidhja e Lezhës sot shënon 577 vjetorin. Në këtë përvjetor ka marrë pjesë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, dhe Oliana Moriseni, nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti para të pranishmëve u shpreh se Besëlidhja e Lezhës ishte akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së shqiptarëve. “Sot teksa shënojmë përvjetorin e besëlidhjes, që është akt politik, publik e kolektiv i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, nde duhet të mendojmë e veprojmë duke menduar sesi do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu e deri tek rilindësit tanë e dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë. Populli shqiptar duhet të faktorizohet”, u shpreh Kurti. Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj u shpreh se kjo është një ngjarje historike. “Kam kënaqësi të veçantë që ndodhem në mesin tuaj. Kjo është një ngjarje historike. Kemi mbijetuar si popull… gjuha, flamuri, kultura janë trimëria jonë e shenjtë dhe të ruhen me dinjitet. Ne së bashku kemi hapësirë të madhe për të ruajtur gjuhën dhe traditën tonë”, tha Gjeloshaj. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se është nderë i veçantë që ai është i pranishëm në shënimin e këtij përvjetori. “Është nder i veçantë për shqiptarët e Luginës dhe mua që të marr pjesë në shënimin e këtij përvjetori. Ai tha se Lidhja e Lezhës është referencë sot për të ardhmen”, tha Kamberi. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela tha se është nderë që në ditën e Lidhjes së Lezhës ndodhemi bashkë. “Faleminderit për pritjen, urime dita. Është nderë për mua që në ditën e Kuvendit të Lezhës të jemi këtu bashkë. E rëndësishme sepse periudha për të cilën flasim ishte periudhë e lavdishme për shqiptarët. Ishte ky Kuvend që e ndërtoj Lidhjen e Prizrenit, dhe ishte Lidhja e Prizrenit ajo që i hodhi gurë themelin të një shteti shqiptar të mëvetësishëm”, tha Sela. Nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, Oliana Moriseni u shpreh se Lezha është shtëpia e çdo shqiptari. “Lezha është shtëpia juaj dhe e çdo shqiptari. Qarku i Lezhës çdo vit mirëpret shqiptar nga të gjitha trevat. Sot është ditë e Besëlidhjes së Lezhës, dhe pas kaq shumë shekujsh kemi nevojë për një besëlidhje kombëtare”, tha ajo.

SHARE