KRYETARI I KUVENDIT TË ULQINIT, ILIR ÇAPUNI, JEP DORËHEQJE, FORCA LARGOHET NGA KOALICIONI

Ilir Çapuni jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit Komunal të Ulqinit dhe njëkohësisht theksojnë se ndjejnë obligim moral, profesional, politik e qytetar që të distancohen nga ky model i funksionimit të pushtetit vendor duke kërkuar zgjedhje të parakohshme lokale. Në kumtesën e Forcës së Re Demokratike ndër të tjera thuhet: “Pas zgjedhjeve të 4 shkurtit të vitit 2018 Forca e Re Demokratike ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me PDS e cila kishte afro 50 vota më shumë, por numër të barabartë këshilltarësh. Në anën tjetër, PDS ka pasë marrveshje edhe me PD, UDSH dhe SD për përkrahje të gjërë.” Në kumtesë theksohet se pas tre viteve funksionim vlerësojnë që ky koalicion nuk ka përmbushur obligimet ndaj qytetareve dhe nuk ka realizuar asnjë pikë nga marrëveshja e nënshkruar nga partnerët e koalicionit për zhvillimin e qytetit të Ulqinit në të gjitha fushat e me fokus të veçantë zhvillimin ekonomik nepërmjet investimeve kapitale dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. “Sonte jemi ftuar nga PDS për të diskutuar jo për këto çështje, por për të diskutuar për kandidatin e kryetarit të Komunës së Ulqinit. Bëjme me dije që Forca e Re Demokratike nuk do të marrë pjesë për arsyet se ne veç kemi deklaruar që nuk do të përkrahim asnjë kandidat nga lista e dëshirave të PDS për të cilën është licituar me emra të ndryshëm duke e devalvuar kështu rolin e kryetarit të Komunës dhe votën e qytetarit,” thuhet në deklaratë. Siç deklaron Çapuni, me këtë eksperiencë, energji, informata e njohuri edhe për llumin e politikës në Mal të Zi, do të vazhdojnë edhe më fortë, me ekip të ri, qasje të re dhe bisedime të reja për të mirën e qytetarëve të Ulqinit.

SHARE