KRERËT E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË UROJNË FITOREN E LËVIZJES VETËVENDOSJE

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet në Kosovë. Rama uron që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet me një kapitull të ri me qeveri të qëndryeshme. “Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”, shkroi Rama në Twitter.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e ka përgëzuar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike. Meta ka uruar që shpejt të krijohen institucionet dhe të punojnë në të mirë të Kosovës. “Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes” shkruan Meta në urim.

Ministrja e Jashtme në Shqipëri , Olta Xhaçka, ka reaguar pas zgjedhjeve në Kosovë duke uruar LVV-në për fitoren. Ajo i uron suksese kësaj partie në krijimin e qeverisë. “Zgjedhjet në Kosovë ishin një shfaqje maturie demokratike e klasës politike & institucioneve. Urime LVV për fitoren! Shumë suksese në krijimin e qeverisë së re dhe fillimin e punës për adresimin e sfidave që Kosova ka përpara”. Xhaçka siguron dhe thotë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e palëkundur e interesave të Kosovës.

SHARE