BE: KOSOVA TË ANGAZHOHET NË BISEDIMET ME SERBINË

Shefi i Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim, Olivér Várhelyi, thanë të hënën se presin formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në një deklaratë të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë të BE-së thanë se presin më padurim “formimin e përbërjes së re të parlamentit e qeverisë së re si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri të Kosovës”. Ata thanë se Bashkimi Evropian pret që institucionet e reja ta shfrytëzojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në njoftim po ashtu thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e përparimit të prekshëm në rrugën e saj evropiane. “Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reforma sipas marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave, si dhe në bashkëpunimin rajonal”.

SHARE