MALI I ZI SHFUQIZON VENDIMIN GJYQËSOR PËR GRUSHT SHTETIN

Gjykata e Apelit e Malit të Zi e ka rrëzuar vendimin, me të cilin 13 persona të akuzuar për përpjekje për terrorizëm, përfshirë udhëheqësit e Frontit Demokratik (DF) në pushtet, Millan Knezheviq dhe Andrija Mandiq, janë dënuar me gati 70 vjet burg. “Paneli e ka shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë sepse në procedurën e sjelljes së tij, si dhe në vetë aktgjykimin, ishin bërë shkelje të konsiderueshme të dispozitave të procedurës penale, për shkak të së cilave as konkluzionet faktike dhe as ato juridike, nuk mund të pranoheshin në vendimin e shkallës së parë, si në raport me ekzistimin e veprave penale për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë e po ashtu as në raport me ekzistimin e fajësisë së tyre për ato vepra”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit të Malit të Zi. Lënda është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, por para një paneli të ndryshuar plotësisht. Paneli gjithashtu vendosi të heqë paraburgimin për të akuzuarin Bratisllav Dikiq dhe ta lirojë atë menjëherë. Tentimi për të bërë puç në Mal të Zi ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve parlamentare, në nëntor të vitit 2016, kur shërbimet malazeze të sigurisë arrestuan disa dhjetëra shtetas të Serbisë, të cilët dyshoheshin për përpjekje për të kryer veprime terroriste, në mënyrë që të përmbysnin qeverinë me një ndërhyrje të dhunshme në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe për kapjen ose likuidimin e kryeministrit të atëhershëm, Millo Gjukanoviq. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila ishte ngritur kundër dy shtetasve rusë, tre shtetasve malazezë dhe nëntë shtetasve serbë, qëllimi ishte që të parandalohej që Mali i Zi të bashkohej me aleancën e NATO-s. Qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, akuzoi gjithashtu Rusinë për një përpjekje për grusht shteti, në vitin 2016, të cilën Moska e mohoi.

SHARE