Mos raftë me u harrua – Gjekë Gjonaj

Mos raftë me u harrua

Gjekë Gjonaj

Qytetarët e Ulqinit janë mësuar që festat e fundvitit, të cilat konsiderohen ndër më të dashurat e vitit, t’i kremtojnë në atmosferë magjike, në ambiente të hapura, nën tingujt e mrekullueshëm muzikor të këngëtarëve të njohur vendas dhe të huaj, në  puhinë detare të natës. Festimet në vigjilje të vitit të ri  sivjet ishin shumë më të zbehta dhe më të heshtura se zakonisht. Ato u kremtuan mes gëzimit e lumturisë së dikurshme dhe mungesës së disponimit të sotshëm. E gjithë kjo nga frika e përhapjes së pandemisë së koronavirusit dhe kufizimet e autoriteteve shëndetësore shtetërore.

Ulqinakët për gjatë kohë nuk mbajnë mend vit  më befasues, më të keq, më të mbrapshtë dhe më të vështirë se vitin 2020, i cili ua ka ndryshuar jetën e tyre në shumë mënyra. Ata kërshëndellat katolike, vitin e ri dhe krishtlindjet ortodokse i festuan në kushte të veçanta mes dritave zbukuruese të qytetit dhe hijes së pandemisë. Ndryshe nga vitet e përparshme këtëherë magjinë e fishekzjarreve në qiellin blu, yjeve të natës, koncerteve muzikore, këngëve dhe valleve e buzëqeshjeve të fëmijëve, të rinjve dhe të rejave, qytetarët e shijuan nga shtëpitë e tyre për shkak se ishte e ndaluar të merrnin pjesë në festime prej një virusi të padukshëm  e vdekjeprurës, i cili trazoi gjithë botën.

Në këtë atmosferë të zymtë festive ulqinakët e përcollën Vitin e Ri 2020, i cili u solli shumë probleme ekonomike, sociale, kulturore e shëndetsëore,madje edhe humbje jetësh të familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Të lodhur nga pandemia e izolimi, të shqetësuar nga vështirësitë e shumta ekzistenciale dhe të brengosur për të ardhmen qytetarët pritën Vitin e Ri 2021. Jo, siç ishin mësuar viteve të mëparshme, por krejtësisht ndryshe.  Të mbyllur në gjirin e ngrohtë familjar, pa  shokë  e  miq, me thjeshtësi, privim dhe me dhimbje për ata njerëz që humbën  betejën me Covid-19.

Ulqini pas një viti shumë të vështirë në historinë e tij, në prag të natës së shumëpritur të ndërrimit të moteve gjeti forcë  dhe ndezi dritat e pemës së festave të fundvitit, duke përcjellë mesazhe shprese e besimi për një të ardhme më të lumtur, dhemë të ndritur të qytetarëve të tij me dëshirën e rimëkëmbjes sa më të shpejtë ekonomike të çdo familjeje ulqinake. Zbukurimet festive me drita shumëngjyrëshe dëshmojnë se jeta është më e fortë se gjithçka dhe se Ulqini nuk gjunjëzohet kurrë.

Ulqinakët hynë në vitin 2021 me shpresën se jeta normale pas kësaj mortaje të padukshme mund të kthehet pas vaksinimit të popullatës  dhe pastaj të festojnë përsëri si duhet. Për këto dhe shumë të pathëna të tjera viti që lamë pas do të mbahet mend gjatë si vit shkatërrues, tragjik e traumatik. Si vit i humbjes së shpresave dhe  i sfidave të shumta e të mëdha.

E populli e thotë bukur: Mos raftë me u harrua.

SHARE