PENDAROVSKI DËNON DJEGIEN E FLAMURIT BULLGAR NË KARNAVALIN E VEVÇANIT

Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka dënuar aktin e djegies së flamurit bullgar në manifestimin e Karnavalit të Vevçanit në jugperëndim të vendit. “Djegia e flamurit të Republikës së Bullgarisë gjatë karnavalit në Vevçani është e papranueshme dhe duhet dënuar. Midis fqinjëve është e nevojshme të ndërtohet besimi, mirëkuptimi dhe respekti”, shkroi presidenti Pendarovski në rrjetet sociale. Akti në fjalë më herët u dënua edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, tek e cila nga Bullgaria përmes ambasadorit të saj në Shkup, Angel Angelov, u dërgua një notë verbale. “Tradita shekullore nuk guxon të rrezikohet përmes aktiviteteve që nënçmojnë ose fyejnë popuj, shtete, në veçanti fqinjët tanë”, tha ministria. Mbrëmë, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, njoftoi se Sofja përmes ambasadorit bullgar ka dërguar protestë verbale ndaj Shkupit për djegien e flamurit. Ndërkohë nga policia e Maqedonisë së Veriut sot konfirmuan se incidenti ka ndodhur pasditen e djeshme nga një person që ishte pjesë e karnavalit, i cili gjatë djegies tradicionale të maskave të karnavalit mbante në dorë flamurin bullgar dhe e hodhi atë në zjarr. “Ngjarja është dokumentuar dhe pasi të përcaktohet identiteti i personit do të ngrihet akuzë ndaj tij”, theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme. “Karnavali i Vevçanit” besohet të ketë një traditë mbi 1.400 vjeçare, i cili përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe “Karnavali i Vevçanit” janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC).

SHARE