QEVERIA E SHTYN PËR NJË MUAJ AFATIN PËR RIREGJISTRIMIN E AUTOMJETEVE NË RKS

Qeveria e Kosovës njoftoi të hënën vonë se ka vendosur ta shtyjë deri më 1 dhjetor afatin për riregjistrimin e automjeteve me targat serbe “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës vendim i ri, po ashtu, parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023 “pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.”

Më 17 tetor, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha për Radion Evropa e Lirë se qindra qytetarë kanë kërkuar shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë.

Të hënën, Qeveria tha se vendosi ta zgjasë afatin pas kërkesave të shumta që i kishte marrë.

Me përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, më 23 nëntor 2022, Prishtina dhe Beogradi sërish e arritën një marrëveshje në kuadër të dialogut, e cila parasheh që Serbia të ndalojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova procesin e riregjistrimit.

Megjithatë, të dy palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit.

Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.

Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.

Afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM.

Sipas disa vlerësimeve, deri në tetor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës kanë qenë rreth 10 mijë vetura me targa KM.

SHARE