Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka drejtuar një mesazh nxënësve, prindërve dhe mësuesve me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, duke theksuar se shkollat duhet të jenë vende të dijes, miqësisë dhe sigurisë.
Millatoviq tha se viti i ri shkollor duhet të nisë me një angazhim të qartë të të gjitha institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të shkojë në shkollë me frikë dhe as të heshtë nëse përjeton apo sheh dhunë”, tha presidenti.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente që që nga dita e parë e shkollës të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të të gjithë mekanizmave për parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Është e rëndësishme të flasim me fëmijët tanë, t’i dëgjojmë dhe të kuptojmë me kohë kur kanë nevojë për ndihmë. Është po ashtu e rëndësishme që mësuesit të kenë mbështetje për të reaguar ndaj shenjave të para të problemeve, qoftë në shkollë apo në internet”, tha Millatoviq.
Një mesazh të veçantë presidenti ua drejtoi nxënësve, duke i inkurajuar të raportojnë rastet e dhunës dhe t’u ofrojnë mbështetje bashkëmoshatarëve që kanë nevojë për ndihmë.
“Nëse përjeton dhunë, tregoje. Nëse sheh se dikush tjetër po përjeton dhunë, mos e kthe kokën. Drejtohu te prindi, mësuesi ose te dikush të cilit i beson”, porositi Millatoviq.
Ai theksoi se çdo fëmijë në Mal të Zi duhet të ketë të drejtën për një mjedis shkollor të sigurt dhe nxitës.
“Çdo fëmijë në Mal të Zi meriton të ndihet i sigurt, i pranuar dhe i respektuar në shkollën e tij. Të gjithë nxënësve u uroj fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, shumë sukses, miqësi të reja dhe momente të bukura në bankat shkollore”, përfundoi presidenti.










