KE: E PAPRANUESHME ÇDO NDËRHYRJE NË PROCESIN E ANËTARËSIMIT TË MALIT TË ZI NË BE

Foto: KE

Komisioni Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili tha se ekzistojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj negociues me BE-në mund të shoqërohet me veprime të koordinuara hibride, ku janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.

Nga Komisioni Evropian kanë theksuar se Bashkimi Evropian po mbështet autoritetet malazeze në përballjen me kërcënimet hibride në rritje, përfshirë ato që synojnë ta largojnë vendin nga rruga e tij drejt anëtarësimit në BE.

Kjo mbështetje, sipas Komisionit, përfshin forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e qëndrueshmërisë së mediave dhe edukimit mediatik, si dhe forcimin e rezistencës ndaj kërcënimeve kibernetike.

“Çdo ndërhyrje në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të ishte e papranueshme”, është theksuar në Komisionin Evropian.

Nga KE-ja kanë shtuar se, përmes kontakteve të ngushta me autoritetet malazeze, do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet, me qëllim mbështetjen e stabilitetit dhe të rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.

SHARE