MILLATOVIQ: MALI I ZI DUHET TË NDËRTOJË NJË EKONOMI TË BAZUAR NË DIJE DHE INOVACION

Foto: X/JakovMilatovic

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, zhvilloi një takim me një nga ekspertët kryesorë evropianë të inteligjencës artificiale, themeluesin e kompanisë Silo AI dhe profesorin në Aalto University, Peter Sarlin, për të diskutuar mundësitë që teknologjitë e reja të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi, rritjen e efikasitetit të institucioneve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Millatoviq bëri të ditur se gjatë bisedës vëmendje e veçantë iu kushtua lidhjes së talenteve vendase me qendrat evropiane të dijes, zhvillimit të kompanive teknologjike dhe krijimit të kushteve që të rinjtë t’i zhvillojnë idetë dhe projektet e tyre në Mal të Zi.

Sipas tij, synimi është forcimi i bashkëpunimit me qendrat evropiane të inovacionit dhe ndërtimi i një ekonomie të bazuar në dije, inovacion dhe partneritet ndërkombëtar, që do të krijojë vende pune të mirëpaguara dhe do ta bëjë Malin e Zi një vend ku lindin zgjidhje të reja.

SHARE