Një valë e re e të nxehtit ka përfshirë Evropën Qendrore, ku temperaturat gjatë ditëve në vijim pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Përballë kushteve ekstreme, autoritetet në disa shtete kanë aktivizuar masa emergjente për të përballuar rrezikun e zjarreve, mungesën e ujit dhe presionin mbi rrjetet energjetike.
Në Hungari, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40-41 gradë Celsius, ndërsa është ndaluar ndezja e zjarreve në ambiente të hapura. Për shkak të mungesës së ujit, ushtria është angazhuar për furnizimin e mijëra banorëve me ujë të pijshëm.
Gjithashtu, niveli i ulët i lumit Danub po ndikon në funksionimin e centralit bërthamor Paks, i cili aktualisht punon me më pak se gjysmën e kapacitetit dhe mund të pezullojë përkohësisht punën nëse situata përkeqësohet.
Autoritetet u kanë bërë thirrje edhe kompanive të ulin konsumin e energjisë elektrike për të shmangur mbingarkesën e sistemit.
Edhe Sllovakia ka aktivizuar alarmet për valën e të nxehtit në të gjithë territorin, ndërsa në Bratislavë janë hapur mbi 30 pika ndihme ku qytetarët mund të furnizohen me ujë, të freskohen në ambiente me ajër të kondicionuar dhe të marrin materiale higjienike.
Njëkohësisht është rritur niveli i gatishmërisë për shkak të rrezikut të zjarreve.
Në Slloveni, autoritetet kanë shpallur nivel shumë të lartë të rrezikut nga zjarret në pjesën perëndimore të vendit dhe kanë kufizuar aktivitetet që mund të shkaktojnë zjarr.
Për shkak të temperaturave të larta, operatori hekurudhor ka ulur shpejtësinë e trenave në disa linja për të shmangur deformimin e shinave.
Ndërkohë, në bregdetin slloven të Adriatikut, temperatura e ujit të detit mund të thyejë rekordin historik prej 30,4 gradë Celsius.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Rumani, ku janë lëshuar alarme të verdha dhe portokalli për gjysmën perëndimore të vendit, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë që niveli i alarmit të rritet nëse vala e të nxehtit vazhdon.
Edhe Austria po përballet me temperatura ekstreme, që në disa rajone arrijnë deri në 40 gradë Celsius.
Sipas autoriteteve meteorologjike, vendi po kalon një nga periudhat më të thata në më shumë se një shekull, pasi reshjet që nga fillimi i vitit kanë qenë rreth 30 për qind nën mesataren, duke rritur ndjeshëm rrezikun nga zjarret dhe duke ushtruar presion mbi furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë.









